Si një kështjellë, kështu duket në pamje të parë banesa e Edison Begajt, në hyrje të të cilës pronarit iu bë mbrëmjen e djeshme një atentat në Vlorë.

Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara, në hyrje të banesës së tij që gjendet në Kaninë, ka një kamera sigurie, e cila mendohet se ka fiksuar momentin kur autori që ka qenë i maskuar ka qëlluar mbi 38-vjeçarin Begaj, i cili është një personazh i njohur për blutë e Vlorës, për shkak se ka bërë burg për trafik droge.

Në vendin e ngjarjes, edhe pse zona supozohet të jetë krehur nga Policia ka ende gëzhoja nga plumbat që janë derdhur mbi Begajt, 4 prej të cilëve e kanë kapur në pjesën e këmbëve, duke i shkaktuar plagë, por pa rrezik për jetën.

Begaj ka qenë duke shkuar për në banesë rreth orës 23:30 kur një shtetas i armatosur i ka bërë pritë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij (në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja). Ndërsa autori (dyshohet 1) është larguar duke u fshehur fillimisht në pyll. Begaj ka shkuar me familjarë në spital dhe aktualisht gjendet jashtë rrezikut për jetën, bëjnë me dije burimet nga bluzat e bardha.

Sa i takon atentatit, nga blutë e Vlorës burime thonë se nuk dihet nëse është qëlluar për ti dhënë mesazh, apo atentatori nga errësira nuk e ka parë objektivin. Ajo që dihet është fakti se Edison Begaj është një emër i skeduar nga policia e Vlorës edhe më herët, si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Kjo sipas policisë ngre edhe pista e hetimit për ngjarjen e mbrëmjes së kaluar, prishje pazaresh apo konflikt i mbartur.

Më 20 shkurt të vitit 2008, policia e Vlorës përfundoi operacionin e koduar “Qiriu i ndezur”, i cili i dha fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë. Aksioni i shtrirë në Vlorë, Fier, Kavajë dhe Lushnjë çoi në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Edison Begajn, banues në Vlorë.

Ndërsa referuar atentatit të mbrëmshëm ende nuk ka asnjë të dhënë mbi autorin. Për shkak se vendi ku është kryer atentati është pa monitorim kamerash dhe në errësirë. Policia ka marrë kamerat në hyrje të fshatit për të identifikuar automjetin.

Dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve për drogën, pse ndonjë konflikt i hapur që 38-vjeçari ka pasur.