Në mbyllje të deklaratës së njoftuar për mediat pak orë para protestës së thirrur nga ish kryeministri Berisha, kreu i PD Lulzim Basha tha se nuk ishte i hapur për asgjë që kishte lidhje me “babain e tij politik” të cilin e cilësoi si person “non-grata”. 

Lidhur me përplasjet që priten të ndodhin ditën e nesërme, Basha tha se ishte i informuar se Berisha kishte mobilizuar persona të inkriminuar dhe trafikantë për të ushtruar dhunë në ambientet e selisë. Kryedemokrati u përgjigj “dhëmbë për dhëmbë” duke thënë se ishin marrë të gjitha masat për të vepruar nëse diçka e tillë ndodhte.

Lulzim Basha: Ta harrojë, selia është e demokratëve pa dallim, shtëpia e lirë dhe interest që na bashkon të gjithëve. Kjo seli nuk është dhe nuk do jetë një han mesjetar ku mund të hynë eksponentë të botës së krimit apo të merret peng nga ish zyrtarë të korruptuar të qeverisjes së PD. Situata është e qartë, përplasje mendimesh po, liri shprehje po.Në respekt secilit, përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Berisha nuk ka dhe nuk duhet të ketë. Demokratëve u bëj thirrje të rrinë larg skenarëve të dhunës, sepse edhe tani Berisha po ju mashtron. Ai nesër ka mobilizuar kriminelë dhe trafikantë për dhunë. Kjo është mënyra e tij e vetme, streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’ju tregojë vendin agresorëve që nuk kanë lidhje me PD. Shqipëria nuk mund të turpërohet me një ngjarje të tillë.

Kritikëve të mi, kundërshtarëve të mi, ju them të qëndrojnë të bashkuar përballë regjimit të Edi ramës, përballë skenarëve te dhunës. Dua të përsëris se nuk jam më i hapur për asgjë me personin e shpallur non-grata. Por jam i gatshëm dhe jam i hapur të dëgjoj kritikat, kërkesat dhe propozimet që forcojnë bashkimin tonë dhe shërbejnë për modernizimin e PD-së. Kjo është e ardhmja që PD ka zgjedhur, kjo do jetë e ardhmja e PD-së.