Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e arrestit me burg për 3 të arrestuarit Eris Beqo, Ksandro Pashollari dhe Xhulio Dapellari të cilët përmes kërcënimit dhe shantazhit i kanë marrë një 17-vjeçareje 8000 euro dhe 200 mijë lekë.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për ta që është pranuar nga gjykata. Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim edhe Kristian Ali.

Nga hetimet e kryera, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nga rrjetet sociale 17-vjeçaren, së cilës i kanë marrë përgjatë 1 muaji në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme në lekë dhe euro, në shumën 200.000 lekë dhe 8.000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100.000 lekë, 6.000 euro, një automjet tip “Benz” dhe katër aparate celularë.