Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga vendi ynë janë arrestuar në Greqi dhe në Serbi me qëllim ekstradimi.

Sipas policisë mësohet se është kapur në Greqi, shtetasi K. R., 30 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal”.

Në Serbi është bërë i mundur arrestimi i Almario Vojoviç, 29 vjeç, i cili ishte dënuar me një vit për ndihmën e dhënë ndaj shtetasve të huaj.

Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

-Kapen në Greqi dhe në Serbi, falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe homologëve, dhe ekstradohen drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I ekstraduari nga Greqia, i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa i ekstraduari nga Serbia, i dënuar me 3 vjet burgim, për dy vepra të ndryshme penale.  

Në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë dhe serbë, janë kapur në Greqi dhe në Serbi dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar K. R., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi K. R. ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Beogradin, u ekstradua nga Serbia drejt Shqipërisë, shtetasi Almario Vojoviç, 29 vjeç. 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’. Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë në kuadër të bashkëpunimit midis policisë shqiptare dhe asaj italiane është bërë i mundur kapja e 43 vjeçarit Klodjan Hajderlli i shpallur në kërkim për trafik narkotikësh.

“Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Klodjan Hajderlli, 43 vjeç, banues në Elbasan, i arrestuar më parë nga shërbimet e DVP Elbasan, për këtë qëllim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në muajin mars të vitit 2022, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi narkotikët ”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 5 vjet”, thuhet në njoftimin e policisë./abcnews.al