Komisioni Europian do të prezantojë një program për të studiuar mutacionet e COVID-19, theksoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në një intervistë për Echos, publikuar sot.

I quajtur “Hera inkubator”, programi i ri do të përfshijë laboratorët, autoritetet shëndetësore, shkencëtarë dhe Komisionin Europian, me fonde të konsiderueshme të dedikuara”, konfirmoi ajo, pa specifikuar shumat.

Tani e tutje, dhe paralelisht me përpjekjet për vaksinat aktuale, ne duhet të ndihmojmë prodhuesit të zhvillojnë kapacitetet prodhuese për vaksinat “e gjeneratës së dytë”, detajoi më tej drejtuesja në këtë intervistë, duke shpjeguar se “këto mutacione na shqetësojnë shumë”, raporton ATSh.

Brukseli kishte njoftuar tashmë qëllimin për të prezantuar një agjenci të re europiane, Autoriteti i Reagimit të Urgjencës Shëndetësore (HERA), në mënyrë që të luftojë kundër pandemive të ardhshme dhe për të pasur një koordinim më të mirë mes 27 vendeve të BE-së.

Përsa i përket hedhjes në treg të vaksinave të reja në gjendje për t’iu përgjigjur më mirë varianteve të COVID-19, komisionerja europiane e Shëndetësisë njoftoi më herët përshpejtimin e procedurës së autorizimit nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA).

Presidentja e ekzekutivit europian bëri thirrje gjithashtu në këtë intervistë për “Les Echos” për zhvillimin e partneriteteve më sistematike mes laboratorëve, me një ndarje të kontrolluar të licencave, përtej fazës së vetme të vendosjes në shishe.

Top Channel