Trupat amerikanë mund të përfundojnë brenda pak ditësh tërheqjen e tyre nga Afganistani, dy muaj përpara afatit të vendosur nga presidenti Joe Biden, 11 shtatori i këtij viti.

Por edhe pse SHBA praktikisht i ka dhënë fund luftës së saj më të gjatë, zyrtarë ushtarakë paralajmërojnë se vendi aziatik mund të përfshihet shumë shpejt nga një luftë civile.

CNN mësoi përmes burimeve të administratës se deri në 650 trupa do të qëndronin në Afganistan për të ndihmuar në ruajtjen e ambasadës në Kabul, dhe objekteve të tjera të sigurisë së lartë, si aeroporti.

Por largimi i SHBA nga Afganistani shihet si hapja e rrugës për marrjen e pushtetit nga talebanët dhe rikthimin e kaosit në vend. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se nuk ka ende një konfirmim për tërheqjen totale të NATO-s nga Afganistani, por komandanti i misionit ndërkombëtar, Gjenerali Austin S. Miller, tha se rreziku i një lufte civile mbetet i lartë.

“Është sigurisht një skenar që mund të imagjinohet, nëse gjërat vijojnë kështu siç po shkojnë”, tha ai për gazetarët. “Kjo duhet të shqetësojë të gjithë botën”.

Paralajmërimi i Miller përputhet me raportimet e mëparshme të agjencive të inteligjencës në SHBA, sipas të cilave, qeveria e Kabulit mund të bjerë brenda gjashtë muajsh nga largimi i amerikanëve.

fax