KAS ka rrëzuar gjatë mbledhjes së sotme kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që ekspertë të huaj të ekzaminonin votimin elektronik në Kamëz.

Koalicioni opozitar kërkoi marrjen e ekspertit të huaj ndërkombëtar për ekzaminimin e votimit elektronik në Bashkinë Kamëz. Mirëpo, sipas KAS, provat nuk çojnë në pretendimin për të ndryshuar rezultatin.

Kërkesa e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’:

Ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike. Kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentet atmosferike.

Krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti), për çdo qendër votimi. Për këtë kërkohet një proces sa me transparent dhe gjithëpërfshirës;

Kqyrjen e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve.

Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Kamëz, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED); Rinumërimin dhe Rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Kamëz dhe miratim i tabelës permbledhëse për zonen zgjedhore Bashkia Kamëz duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumerimi dhe rivleresimi i votave; Pavlefshmëri të zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore Bashkia Kamez; si dhe së fundmi, pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe të keni krijuar bindjen Tuaj institucionale se kjo nuk është vota e qytarëve, nga ana Juaj kërkojmë: Përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë si dhe të Këshillit të Bashkisë Kamëz”.