Këshilli i Europës ka vendosur pasditen e kësaj të enjteje t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate për në Bashkimin Europian, shkruan newsbomb.al. Lajmin e jep vetë presidenti i KE, Charles Michel.
“Këshilli i Europës sapo ka vendosur statusin e kandidatit në BE për Ukrainën dhe Moldavinë. Një moment historik. Sot shënon një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së. Urime presidenti Zelensky dhe Presidentja Sandu, dhe populli i Ukrainës dhe e Moldavisë”, shkruan Michel.
Këtë vendim të marrë pak minuta më parë e konfirmon dhe kryeministri i Luksenburgut. “Këshilli Evropian ka dhënë statusin e vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë. Moment historik dhe një sinjal shprese për popullin ukrainas”, shkruan Xavier Bettel.
Gjithashtu, Këshilli i Europës vendosi të njohë perspektivën evropiane të Gjeorgjisë dhe është gati të japë statusin e kandidatit pasi të adresohen prioritetet e pazgjidhura. “Urime popullit gjeorgjian. Një moment historik në marrëdhëniet BE-Gjeorgji: e ardhmja e Gjeorgjisë qëndron brenda BE-së”, shkruan Presidenti Michel.
Sot në Bruksel është mbajtur Samiti i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht premtimeve, Kosova nuk mori heqjen e vizave, edhe pse kushtet i ka plotësuar prej vitesh, shkruan newsbomb.al. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po ashtu, asnjë datë për integrimin për shkak të vetos bullgare.