Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin e deputetit Pandeli Majkos, i cili do të zëvendësojë në Kuvend Alqi Bllakon, pasi ky i fundit u arrestua nga SPAK. Për këtë arsye, sot në Kuvend është mbledhur Këshilli i Mandateve dhe ka shqyrtuar vendimin e KQZ.

Mbledhja është drejtuar nga kryetarja Lindita Nikolla, dhe pasi verifikoi mandatin e deputetit Majko ia kaloi seancës plenare të datës 11 prill 2022.

Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimin nr. 140, datë 04.04.2022, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Tiranë Pandeli Sotir Majko” dhe pasi verifikoi mandatin e deputetit Majko, ia kaloi seancës plenare të datës 11 prill 2022”, njofton Kuvendi.

Një javë me parë, Pandeli Majko dorëzoi në KQZ formularin e dekriminalizimit. Në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit të vitit të kaluar nuk arriti të merrte mandatin e deputetit, teksa ishte i renditur i 19-ti në listën e Partisë Socialiste në Tiranë. Pas dorëzimit të mandatit të Bllakos, Majko ishte kandidati që kishte fituar më shumë vota personale, ndaj sipas Kodit Zgjedhor, i takon atij të jetë pjesë e Parlamentit.