Pas sekuestrimit të 40 pakove me kokainë në portin e Durrësit, që ishin fshehur në pako me ‘Gokun’ mes kontejnerëve me mish pule, policia arrestoi dy persona Arben Ferizin, administrator i kompanisë që kishte porositur mishin dhe agjentin e doganimit Egert Vargun.

Droga ishte ngarkuar në një kontejner me mish pule që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut, teksa pas arrestimit, Vargu ka dëshmuar në polici ku ka mohuar të jetë i përfshirë në skandalin në fjalë.

Vargu ka thënë se ai merret vetëm me zhdoganimin e kontejnerëve dhe jo me kontrollin e tyre.

“Kompania ka vite që merret me prodhimin e salsiçeve dhe është e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner. Nuk është puna ime. Puna ime është të merrem me dokumentacionin.”- ka thënë Vargu para efektivëve.