Koreja e Veriut ka nisur një sulm të ashpër ndaj presidentit amerikan Joe Biden pasi ky i fundit akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte në Ukrainë.

“Komente të tilla të papërgjegjshme mund të bëhen vetëm nga një pasardhës i Yankees, të cilët kanë qenë prej kohësh të aftë në sulme dhe intriga,” tha agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA në një deklaratë të ngarkuar me ofendime të rënda.

Por gjithashtu “mund të konkludohet se (Z. Biden) ka një problem me funksionet e tij mendore, se komentet e tij të papërgjegjshme janë vetëm dëshmi e pamaturisë së një personi të moshuar me dementia. E ardhmja e Shteteve të Bashkuara duket e zymtë me dikë kaq të dobët në pushtet,” thuhet në deklaratë.

Pheniani mbështet hapur Rusinë, një nga aleatët e saj të paktë ndërkombëtarë, në luftën në Ukrainë. Ai akuzon Uashingtonin se është “në rrënjë” të krizës aktuale.

Nuk është e pazakontë që mediat zyrtare të Koresë së Veriut të godasin liderët e huaj duke përdorur gjuhë të ashpër, ndonjëherë fyese. Zoti Biden ishte përshkruar tashmë si një “qen i tërbuar”, i cili do të ishte “vrarë duke u rrahur me shkop” kur ai ishte ende në garë për president.

Ish-presidenti Donald Trump – përpara samitit me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un – kishte marrë mbiemrin kozmetik “i rraskapitur”.