BURREL- Tonin Tosku nga Burreli, me detyrë efektiv i policisë rrugore mbeti sot i plagosur në aksin Maqellarë – Peshkopi, për shkak të shpërthimit të një gome kamioni.

ABC ka siguruar edhe pamjet e kamionit që pësoi defekt, ku një prej gomave më pas shpërtheu duke sjellë edhe plagosjen rëndë të policit të rrugores.
Efektivi ka marrë dëmtime në të dyja këmbët ndërsa u transportua me helikopter drejt Traumës në Tiranë.

“I sëmuri ka ardhur në gjendje të rëndë. Ka pasur hemorragji në të dy këmbët. Ka pasur fraktura të hapura me hemorragji me ekspozim kockave dhe i sëmuri erdhi direkt në reanimacion. U mjekuan plagët dhe u nis për Tiranë. Ka qenë një goditje nga shpërthimi i gomës. Ka qenë një forcë e madhe për të bërë ato dëmtime.” tha mjeku, Erjol Braholli i cili i dha ndihmën e parë efektivit të plagosur.

Sjellim në kujtesë se një ditë më parë shpërthimi i gomës së një kamioni i mori jetën një 56 vjeçarit, të quajtur Spase Milloshit, në aksin rrugor Lezhë-Milot. 56 vjeçarit i plasi goma e një trajleri të tonazhit të rëndë të cilën po e frynte gomisterinë ku punonte.