TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Kolegji Zgjedhor refuzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për paraqitjen e provave shtesë dhe të kërkesës për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit, duke i hapur rrugën kështu certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit nga ana e KQZ-së.

Me vendimin për qarkun e Elbasanit, Kolegji Zgjedhor mbyll përfundimisht shqyrtimin e ankimimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Më herët sot, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Fierit.

Pas vendimit për Fierin, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu tha se “grupi i juristëve që është pranë PD-së do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 prillit”.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ankimuan rezultatin për 9 qarqe, fillimisht në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve e më pas në Kolegj Zgjedhor.

/m.m/j.p/