Shefi në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi është shprehur se nuk përjashtohet mundësia e ekzistencës së mutacioneve të Covid-19 në vendin tonë pasi janë raportuar raste në vendet fqinje.
Në një lidhje skype për “Wake Up”, Koraqi u shpreh se shtimi i ndjeshëm i rasteve gjatë ditëve të fundit ka ardhur si pasojë e dy faktorëve, festave të fundvitit, dhe idesë se tashmë ka ardhur vaksina.
“Është e vështirë të dimë nëse kemi mutacionin në Shqipëri. Edhe vendet e tjera i çojnë në vende të tjera. Ne për shembull mund t’i çojmë në Berlin. Unë megjithatë nuk e përjashtoj idenë se ekziston mutacioni në Shqipëri. Sepse ka ardhur në Kosovë, Maqedoni, kaq afër dhe kështu nuk e përjashtoj ekzistencën.
Por rritja e të infektuarve nuk ka ardhur vetëm nga mutacionet, por vjen dhe nga fakti që kemi pak kohë që kemi dalë nga festat e fundvitit. Gjithashtu ardhja e vaksinës ka bërë që njerëzit të relaksohen se thonë hë se erdhi vaksina, dhe nuk ruhen shumë.
Riinfektimet nuk kanë lidhje vetëm me mutacionin e ri, por me kohën e gjatë që ka virusi. Imuniteti nuk ekziston për kohë të gjatë, ka ndodhur që të riinfektohen edhe brenda 4 muajve. Se ka njerëz që nuk gjenerojnë anti-korpe, por ka dhe nga ata që i gjenerojnë shumë shpejt,” tha Koraqi.
Top Channel