Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se “tmerret që janë parë në Bucha janë vetëm maja e ajsbergut e të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse deri tani”.

“Këto pamje horror që kanë ardhur nga Bucha, Mariupol apo vende të tjera kanë nevojë për sanksione të rënda nga G7 dhe BE-ja. Perëndimi po vazhdon ta furnizojë makinerinë luftarake ruse duke paguar karburantin rus. Tregtia mes Rusisë dhe vendeve perëndimore vazhdon, me transaksionet që kryhen përmes bankave ruse”, tha Kuleba.

Më tej, ai iu drejtua ministrave të Jashtëm që do të marrin pjesë në takimet e NATO-s, BE-së dhe G7-s këtë javë, duke i thënë se nëse kanë ende dyshime për të ndalur tregtinë me Rusinë, të shkojnë e të shohin se çfarë është bërë në Bucha.

Kuleba shtoi se Ukraina e ka fituar “betejën për Kievin”, por tani po përgatitet për një “sulm të gjerë rus në lindje të vendit”.

“Ju them pa ekzagjerim se situata në Mariupol është shumë më keq sesa ajo që kemi parë në Bucha dhe qytete të tjera pranë Kievit”, theksoi ministri i Jashtëm i Ukrainës.