Kompania “Ferrero” ka tërhequr nga tregu miliona pako të çokollatave të preferuara të fëmijëve “Kinder Surprise”.

Agjencia e Standardeve të Ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar (FSA) tha se vezët kanë një “lidhje të mundshme me një shpërthim të salmonelës”. Deri tani janë evidentuar 57 raste, pak më shumë se tre të katërtat e tyre te fëmijët të moshës pesë vjeç.

Mediat britanike shkruajnë se prindërve u kërkohet të mos u japin fëmijëve të tyre vezë çokollate Kinder Surprise për shkak të pranisë së mundshme të salmonelës.

Ferrero, e cila zotëron markën Kinder, ka tërhequr çokollatat  që ishin bërë në Belgjikë dhe që kanë datën e skadencës mes 11 korrikut 2022 dhe 7 tetorit 2022.

Kompania tha në një deklaratë: “Ferrero po bashkëpunon me Agjencinë e Standardeve të Ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Autoritetin e Sigurisë Ushqimore të Irlandës për një lidhje të mundshme me një numër rastesh të raportuara të salmonelës.“Ne i marrim çështjet e sigurisë ushqimore seriozisht dhe sinqerisht kërkojmë falje për këtë çështje.”

Tërheqja vjen javë para Pashkëve, kur Ferrero ka të ngjarë të shpresonte për një rritje në shitje.

Duke konfirmuar tërheqjen e çokollatave, Agjencia e Standardeve të Ushqimit në Mbretërinë e Bashkua  tha: “Ka një lidhje të mundshme me një shpërthim të salmonelës. Një numër prej këtyre rasteve kanë qenë fëmijë të vegjël.”

Më tej agjencia shtoi: “Për të zvogëluar rrezikun e ndonjë sëmundjeje të mëtejshme, konsumatorët nuk duhet të hanë produktet e listuara”./Opinion.al