Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, përsëriti në Tiranë se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi, sipas tij, “deklaratat e njëanshme për pavarësi shkelin të drejtën ndërkombëtare”.

“Unë mendoj se miqtë e mirë, siç janë Shqipëria dhe Spanja, mund të kenë edhe mendime të ndryshme. Ne mendojmë se një deklaratë e njëanshme për pavarësi shkel të drejtën ndërkombëtare.

Prandaj nuk jemi në favor të kësaj gjëje. Ky është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare për këtë çështje, por kjo nuk do të thotë që nuk e përkrahim qeverinë shqiptare. Ky është pozicioni i qeverisë së Spanjës”, tha Sanchez.

Ndërkohë që në lidhje me konfliktet që po ndodhin në veri të Kosovës, kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri një thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që të mos nxisë situatën.

“Spanja ka një pozicion të ndryshëm për Kosovën, për arsye që lidhen me vetë Spanjën dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj të drejtës së tyre.

Por, sidoqoftë, ne kemi diskutuar, aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë ka pasur një përshkallëzim të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër, janë për t’u zbatuar, jo për t’u diskutuar.

I bëj thirrje Presidentit të Serbisë që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje që duhet zbatuar dhe është e vlefshme për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut Kosovë-Serbi”, u shpreh Rama.