Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ka mbledhur këtë të mërkurë Task Forcën, e cila është të vijim të punës përgatitjet e fundit të sezonit veror.

Kumbaro bëri njoftimin e rëndësishëm për bizneset, duke thënë se këtë vit baret në plazhe do të jenë me leje të posaçme të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Betejën më të vështirë në këtë sezon e kemi me mbetjet, por jemi në rrugë të mbarë falë koordinimit dhe punës së bashkive të bregdetit. Siç e dini, katër bashki bregdetare do asistohen nga një operator shtesë përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Gjithashtu në datat 20-30 maj do të angazhojmë në terren edhe forcat e ushtrisë për të përforcuar punën për pastrimin e territorit. Megjithëse këtë vit situata e mbetjeve paraqitet shumë më mirë dhe territoret e bregdetit janë pastruar dhe kanë nisur çeljen e sezonit, jemi të vetëdijshëm që çdo episod i pakëndshëm në territor na kushton më shumë nga sa mendojmë ne. Çdo moskorrektësi e punonjësve tanë përkthehet në dëm për imazhin e Shqipërisë. Prandaj të shmangim çdo sjellje të tillë”, u shpreh Kumbaro.

Më tej ministrja njoftoi se strukturat e përkohshme të shërbimit, të njohura ndryshe si “beach bar”,  kanë kaluar nën filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe janë publikuar lejet për to.

“Për sa i përket strukturave të përkohshme të shërbimit, këtë vit është bërë maksimumi nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ka miratuar të gjitha lejet e beach-bareve në koordinim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkive, duke i publikuar ato edhe online. Kjo është hera e pare që ndodh. Nga ana tjetër, për menaxhimin e stacioneve të plazheve nga subjektet private kishim 540 aplikime të kualifikuara, por 24 rezultojnë se nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Për këtë shkak, siç e kemi njoftuar që në janar, nuk do t’u lidhet kontrata. Të gjithë kanë edhe detyrimin për të pasur rojen bregdetare dhe për këtë do të ketë kontrolle.

Bashkive u është kërkuar të përgatisin planet për menaxhimin e zhurmave që përkthehen në ndalim të punimeve në territor dhe ndalim i zhurmave të larta, duke i dhënë prioritet qetësisë së pushuesve si një angazhim i kryeministrit që në nisje të mandatit për të pasur prioritet turizmin dhe mjedisin. Prandaj edhe shumë vepra infrastrukturore i shërbejnë turizmit. Janë të rëndësishme kantieret e ndërtimit për zhvillimin e zonave, por përgjatë muajve të verës do t’u japim prioritet pushuesve”, njoftoi Mirela Kumbaro.