Ditën e sotme po zhvillohet takimi Vuçiç-Kurti në Bruksel,  në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan  gjatë takimit Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

Përpara takimit, Vuçiq shkroi në Instagram se miratimi i kësaj deklarate “do të jetë i vështirë”.

“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.

“Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.

Në takim po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi derisa Vuçiqin e shoqëron Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.