Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e enjte, ku në rendin e ditës është përcaktuar ngritja e komisioneve të përherhshme parlamentare, miratimi i të cilave bëhet me shumicë të thjeshtë votash. E vetmja gjë që pritet me interes gjatë kësaj seance, është nëse PD dhe PS do të lëshojnë pe që në komisionet parlamentare të jenë pjesë dhe 3 deputetët e LSI-së që kanë shprehur interes.
PS ka deklaruar se LSI duhet të zërë vendet e opozitës, ndërkohë që PD thotë se nuk do të tërhiqet nga propozimi i saj për anëtarët e Komisioneve. Mbetet për tu parë se cili do të jetë vendimi për 3 deputetët, Petrit Vasili që ka kërkuar të jetë pjesë e Komisionit të Shëndetësisë, Erisa Xhixho në Komisionin e Ligjeve dhe Agron Çela në komisionin e sigurisë kombëtare.
Sakaq të dyja forcat politike më të mëdha, edhe pse jo zyrtarisht kanë përcaktuar edhe kryetarët e komisioneve parlamentare, dhe të enjten pritet vetëm finalizimi i tyre.
Prej përfundimit të zgjedhjeve të 25 Prillit, marrëdhënia mes LSI-së dhe PD-së, dikur në alenacë është krisur, ndërkohë që prej kohës mungon një takim mes Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, pavarësisht ditëve të vështira që i presin në opozitë.
Njoftimi i Kuvendit mbi seancën e të enjtes:
Në mbështetje të Urdhrit nr.6, datë 20.09.2021 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 16.09.2021. (Neni 44, pika 2 e Rregullores)
Njoftime. (Neni 44, pika 3 e Rregullores)
Projektvendim “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”. (Neni 20 dhe 21 e Rregullores, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
Projektvendim “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”. (Neni 21/1 e Rregullores, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
Shqyrtimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 27 shtator 2021 – 5 nëntor 2021. (Neni 26 i Rregullores, njoftim për miratimin me mirëkuptim në Konferencë/votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim në rast të mungesës së mirëkuptimit në Konferencë)
Shqyrtimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 27 shtator 2021 – 15 tetor 2021. (Neni 27 i Rregullores, njoftim për miratimin me mirëkuptim në Konferencë/votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim në rast të mungesës së mirëkuptimit në Konferencë)