Një punonjës i gardës është vënë në prangat e policisë mbrëmjen e djeshme, për shkak se lëvizte me armë zjarri me vete në Tiranë.
Në prangat e policisë ka rënë 32-vjeçari Kristjan Gjini, ndërkohë që drejtuesi i gardës ka bërë dhe shkarkimin e menjëhershëm të tij.
Mësohet se përveç armës pa leje që iu gjet në makinë, të riut i janë sekuestruar dhe dy celularë, dhe po punohet për të zbardhur nëse ka qenë i implikuar në ndonjë ngjarje të mundshme kriminale.
Arrestimi i Gjinit është bërë nga ‘Forcat Shqiponja’ të Policisë, gjatë kontrolleve të rastësishme që bëhen në kryeqytet.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të luftës kundër armëmbajtjes pa leje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Policia e Tiranës arrestuan në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, K.GJ., 32 vjeç.
Ai u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje.
Gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparatë telefonikë.
Hetimet po vijojnë dhe materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka firmosur përjashtimin e 32-vjeçarit nga radhës e Gardës.