Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, nuk mori pjesë në ngjarjet për të shënuar Ditën e Flamurit, Stemës dhe Himnit Kombëtar të Bjellorusisë, më 14 maj, derisa po qarkullojnë thashetheme që ai është në gjendje të keqe shëndetësore.

Kryeministri bjellorus, Raman Halouchanka, lexoi një fjalim në emër të Lukashenkës.

Gjatë tri javëve të fundit janë organizuar disa ngjarje publike, në të cilat Lukashenka ka munguar. Megjithatë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të 68-vjeçarit. Më 13 maj, një raport i paverifikuar pretendonte se ai ishte dërguar në një spital në Minsk.

Lukashenka mori pjesë në festimet e Ditës së Fitores së 9 majit në Moskë, ku nuk dukej mirë dhe dora e tij e djathtë ishte mbuluar me një fashë.

Një anëtar rus i Dumës së Shtetit u citua nga mediat ruse më 14 maj të ketë thënë se Lukashenka ishte i sëmurë, por nuk është asgjë e pazakontë dhe se nuk është COVID-19.

“Pavarësisht se u sëmur, ai vendosi të vinte në Moskë, dhe më pas në mbrëmjen e së njëjtës ditë mori pjesë në një ngjarje në Minsk. Ai ndoshta ka nevojë për pak pushim, kjo është e gjitha”, tha zyrtari rus Konstantin Zatulin.

Ai tha se ai e di se nga çfarë vuan Lukashenka, por nuk tregoi diagnozën.

Shërbimi për shtyp i Lukashenkës nuk ka komentuar në mënyrë specifike për ndonjë sëmundje, por tha se ai vazhdon të punojë “me dokumente”.

Raportet e lajmeve në mbrëmjen e 13 majit thanë se Lukashenka mbërriti në Qendrën Mjekësore Klinike Republikane në Minsk. Rrugët për në spital u bllokuan, ndërsa autokolona e tij po afrohej dhe forcat e sigurisë qëndruan përgjatë rrugës. REL