Policia e Shtetit

Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 2 raste të kësaj veprimtarie.

Në Kavajë është finalizuar operacioni policor i koduar “Final Game”.

Në Vlorë është goditur një tjetër rast, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”.

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Final Game”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 25 vjeç, banues në Kavajë dhe u procedua penalisht shtetasi E. L., 31 vjeç, banues në Kavajë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit E. L., shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasn M. D., punonjës në lokal, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të aparatit celular.

-Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi S. L., 20 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë dhe u procedua penalisht shtetasi R. I., 32 vjeç, banues në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.