Nedim Bajrami është kthyer në një nga lojtarët më të vlerësuar dhe më të kërkuar në Serie A. Për yllin kuqezi nuk mungojnë ofertat ndërsa në përfundim të këtij sezoni pritet të zhvillohet një betejë e vërtetë për të siguruar shërbimet e tij.

“Calciomercato.com” insiston se Lazio dhe Sassuolo janë dy ekipet që kanë hedhur hapa përpara, dy ekipet më të interesuar për të blerë kartonin e Bajramit. Në fakt, Sassuolo e provoi edhe gjatë janarit por hasën në një refuzim të fortë nga ana e Empolit, ishte e pamundur që fantazisti të largohej gjatë janarit.

Drejtuesit e Empolit janë të vetëdijshëm se kanë në dorë një “xhevahir” të vërtetë, për këtë arsye nuk nxituan, mbeten në pritje të merkatos së verës dhe sigurisht ofertës më të mirë. Për momentin çdo negociatë e mundshme nis në bazën e 10 milionë euro. Më herët mediat italiane kanë raportuar se për Bajramin interesohen edhe ekipi si Napoli, Inter e Milan.
(BalkanWeb)