Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku ka nisur Kuvendi Kombëtar i thirrur prej tij.

Basha përshëndeti të pranishmit, të cilët e pritën me ovacione, ndërkohë që në fillim të takimit u këndua dhe himni i flamurit.

Në Kuvendin e Lulzim Bashës nuk pritet që të ketë përjashtime nga radhët e partisë, por në statut pritet të vendoset një sanksion, se të gjithë ata që janë shpallur non grata, nuk mund të zgjidhen në strukturat drejtuese. E padyshim ky nen shkon për Berishën.

Kuvendi i sotëm i parapriu një mbledhje kryesie paditen e djeshme, ku dhe u mor vendimi për ndryshimet në statut. Delegatët në Kuvendin e Bashës pritet që të verifikohen në hyrje të Kongresit, ndërkohë që ka pasur akuza se për të mbushur sallën, janë përdorur dhe njerëz që nuk janë pjesë e strukturave drejtuese në PD.

Axhenda e Kongresit të Bashës:

1- Vendimmarrje mbi situatën politike me si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

2-Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës , i cili në aleancë me krimin e organizuar ka shkatërruar çdo mjet të funksionit demokratike të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit , kryesisht nga të rinjtë.

3-Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme , sipas Objektit “ partia Demokratike , partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm-Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.