Firma holandeze “Pal-V”, tashmë ka marrë miratimin e Bashkimit Europian për të hedhur në treg makinën fluturuese.Pas provave të kryera për fluturim dhe ngjarjeve të vitit 2012, “Liberty”, makina fluturuese është miratuar për përdorim në rrugë.
Robert Dingemanse, themelues i kompanisë thotë se është dashur shumë punë për të përshtatur mjetin fluturues që paloset, për të marrë miratimin e përdorimit në rrugë. Mjeti është certifikuar për frenat, zhurmën dhe ndotjen.
“Nuk ka patur asnjëherë rregullore të përbashkëta mbi funksionimin ajror dhe rrugor për një mjet. Kemi arritur të ndërtojmë një mjet që u përshtatet të gjitha rregulloreve, që janë rreth 5 mijë kërkesa që duhen përmbushur”.
Kompania Pal-V ka patur një qasje më tradicionale në ndërtimin e makinës fluturuese dyvendëshe dhe me tre rrota për ngarje në rrugë. Drejtuesit duhet të kenë licensën e pilotit për ta fluturuar atë. Kompania thotë se mjeti mund të arrijë shpejtësi deri 160 kilometra në orë në rrugë. “Liberty” mund të përshkojë distanca ajrore prej 500 kilometrash me një shpejtësi deri 180 kilometra në orë me një serbarator. Nëse je duke e ngarë makinën dhe paraqitet nevoja për të fluturuar, do të duhen vetëm dhjetë minuta që ta përshtatësh mjetin, thotë kompania.
90 mjetet e para, që do të jenë me porosi, do të kushtojnë rreth 500 mijë euro, dhe do të jenë gati në vitin 2022. Më pas, variantet standarde do të kushtojnë rreth 400 mijë euro. Kompania thotë se është rritur interesi dhe kërkesa për makinën fluturuese si rezultat i pandemisë sepse mjeti ofron distancim dhe aftësitë për të shkuar kudo nga toka apo ajri pa rrezikuar infektimin.