Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i shënuar tre ditë më parë në Tiranë, ku u arrestuan tre persona nga Shkodra.

Policia arrestoi Jasmin Pepajn, Rezart Pepajn dhe Sherif Kadroviçin, të tre banues në Shkodër. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin përfitonin miliona lekë nga bizneset në Tiranë, duke iu prezantuar si punonjës të rëndësishëm në strukturat e shtetit.

Perosnat e sipërpërmenduar u arrestuan pasi duke u prezantuar si punonjës të shtetit, i kishin vendosur gjobë biznesmenit Pëllumb Salillari.

“CNA” shkruan se pas këtij rasti Salillari ka bërë denoncimin në polici dhe kanë qenë forcat e rendit, të cilat kanë ndërtuar një operacion. Biznesmeni priste që autorët të shkonin ta gjobisnin, kur në atë kohë në flagrancë është bërë edhe arrestimi i tyre.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Signal”, këta shtetas u arrestuan në flagrancë, në tentativë për të përfituar me anë të mashtrimit, në një biznes në Tiranë, shumën prej 130 000 eurosh. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 12 600 euro të tjera, të përfituara nga veprimtaria kriminale e mashtrimit. Në total, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 142 600 euro” thuhej në njoftimin e policisë.

Pëllumb Salillari është drejtuesi i kompanisë “Salillari shpk”, njihet si një nga ndërtuesit e infrastrukturës, por edhe pallateve në kryeqytet.