Firma e Mauricio Sarrit me Lacion është vetëm çështje orësh. Në sitin e klubit lacial e bëjnë fakt të kryer ardhjen e ish-trajnerit të Juventusit, madje i kushtojnë rëndësi edhe lëvizjeve që pritet të bëhen në merkato për të plotësuar dëshirat e trajnerit të ri.

Elseid Hysaj dhe Nikola Maksimoviç konsiderohen si dy “ushtarët” e besuar të Sarrit që nga koha kur ai drejtonte Napolin dhe janë emrat e parë në listën e merkatos. “Çdo komandant ka ushtarët e tij të besuar për shumë arsye, sigurisht edhe për eksperiencat e përjetuara më parë bashkë, për betejat në fushë. Nikola Maksimoviç dhe Elseid Hysaj kanë bërë pjesë në “ushtrinë” sarriane për shumë kohë”, – shkruhet në sitin e Lacios.

Merkatoja është temë dite dhe emri i Hysajt nuk del për herë të parë si një përforcim i mundshëm i Lacios. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u përmend që në momentin kur Sarri doli si kandidat për stolin e Lacios, duke ditur marrëdhënien që shkodrani ka me këtë trajner, por edhe faktin që ai do të largohet me parametra zero nga Napoli.