Belsh/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokaliteti”, kundër armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në këtë fushë, është rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

Mbante armë zjarri pa leje, vihet në pranga 56-vjeçari.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë.

Në vijim të punës së pandërprerë të Policisë, me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe ato të Stacionit të Policisë Belsh kanë siguruar informacion se një shtetas mbante armë zjarri.

Ky informacion është ndjekur proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, dhe si rezultat i ndërhyrjes profesionale dhe të koordinuar me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, është finalizuar operacioni “Lokaliteti”.

Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Lokalitet, në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi Barjam Qosja 56 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.