I gjithë vendi është përfshirë në këtë fillim javë nga temperatura të ulëta me origjinë siberiane. Në juglindje të vendit, temperaturat gjatë natës kanë variuar nga -7 deri në -14 gradë celsius.

Në qarkun e Korçës problematika janë shënuar me disa rrugë rurale, ku për shkak të erës së fortë ka pasur grumbullime të dëborës në rrugë dhe për këtë arsye është kërkuar shmangia e qarkullimit.

Ndërsa në akset e tjera rrugore është bërë kriposja e rrugëve, por në disa zona ka prezencë akulli.

Në Pogradec temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrica dhe përgjatë bregut të liqenit, akulli ka formuar skulptura akulli.

Ndërkohë në zonat bregdetare problematika janë shënuar kryesisht me erën dhe qarkullimin detar.

Linjat e trageteve nga Durrësi dhe Vlora drejt Barit dhe Brindizit janë pezulluar të paktën deri në mesditën e kësaj të hënë kur parashikohet edhe një përmirësim gradual i forcës së erës.

Ndërsa temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta thuajse në të gjithë vendin.