Mbrëmja e të dielës është afati final që Komisioni Zgjedhor në PD ka përcaktuar për regjistrimin e kandidatëve në primare për tre bashkitë më të mëdha në vend, Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin.

Në një dalje për mediat, pak ditë më parë, anëtarët e komisionit konfirmuan se janë udhëzuar degët e Partisë Demokratike në këto tre bashki të mëdha për marrjen e propozimeve dhe zyrtarizimin e kandidaturave

Në bashkinë më të madhe, atë të kryeqytetit janë zyrtarizuar katër kandidatët Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Adriana Kalaja. Burime nga selia blu konfirmojnë se ambicjen për të qenë pjesë e primareve në Tiranë e kanë shprehur edhe emra të tjerë, por mbi bazë të kritereve të përcaktuara, do të jetë komisioni që do të përcaktojë pranimin ose jo të këtyre kandidaturave. Pa kandidatë zyrtarë për primaret janë Bashkia Durrës dhe Bashkia Elbasan. Por vetë kreu i PD, Sali Berisha i pyetur për këtë çështje u shpreh i pashqetësuar.

Burime  në degët e Durrësit dhe Elbasanit konfirmojnë se po punohet për të arritur drejtë kandidatëve konsensualë që gëzojnë mbështetjen e të gjithë rrymave brenda Partisë Demokratike.

Në këto dy degë po punohet që mungesa e dakordësisë që u pamundësua nga dështimi i negociatave mes Edi Palokës dhe Gazment Bardhit të reflektohet tek kandidatët që do hyjnë në primare./abcnews.al/