LAJM I PËRDITËSUAR – Ka përfunduar pa një marrëveshje takimi i përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel, në prani të ndërmjetësuesve europianë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak.

Kujtojmë që më herët dy përfaqësuesit e BE-së takuan veçmas, fillimisht kryeministrin e Kosovës dhe pastaj kreun e shtetit të Serbisë.

Në përfundim të takimit, në një deklaratë për mediat, Borrel tha se palët kishin rëndë dakord që nuk është më e nevojshme të ketë diskutime për planin franko-gjerman. “Ne do ta publikojmë propozimin në faqen tonë”, tha zyrtari europian.

Menjëherë pas takimit ka folur edhe presidenti serb, Vuçiç.

“Një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë të tjera takime në periudhat e ardhshme. Me sa kam kuptuar, më 18 [Mars] do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, [shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep] Borrell do të vizitojë rajonin”, tha Vuçiç.

Ky ishte takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiç dhe në tryezë kishin propozimin franko-gjerman. Në Bruksel ndodhej edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndonëse nuk është bërë publik propozimi, kanë dalë disa versione të ndryshme në media, por ajo që është pranuar edhe nga ndërmjetësit si dhe përfaqësuesit e dy shteteve është se në të nuk ka pikë të veçantë kur përmendet se obligohen shtetet të njohin njëra-tjetrën. Gjithashtu një pikë tjetër është ajo e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara, rrjedhimisht edhe e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se në raundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas takimit të mbajtur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Vuçiç tha se takimi ishte “shumë i vështirë”, por shtoi se bisedimet do të vazhdojnë në “periudhën e ardhshme”.

Në këtë takim, sipas BE-së, në axhendë ishte propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai.

Vuçiç paralajmëroi një takim të ri me Kurtin më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

“Me sa kam kuptuar, më 18 [mars] do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, [shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep] Borrell do ta vizitojë rajonin“, tha Vuçiç.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se në takimin e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “po thyhen shtiza” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke folur nga Brukseli për Televizionin Pink të Serbisë, Petkoviç tha se Kurti “po përpiqet në çdo mënyrë ta shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit”, ndërsa Vuçiç “insiston pikërisht në të”.

“Kemi manovrime të Albin Kurtit dhe, në anën tjetër, presidentin Aleksandar Vuçiç, i cili po lufton për Marrëveshjen e Brukselit [për themelimin e Asociacionit]. Për këtë po thyhen shtiza dhe ka një nervozizëm të madh. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të ditës”, tha Petkoviç, transmetojnë agjencitë serbe të lajmeve.

I pyetur nëse do të nënshkruhet ndonjë gjë sonte në Bruksel, ku po diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petkoviç tha se sot “nuk është kurrfarë dite D”, duke iu referuar figurativisht ditës ku pritet të ndodhë diçka e rëndësishme. Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.