Charles McGonigal, ish-drejtori i FBI-së, është arrestuar në Amerikë për akuza që lidhen me korrupsionin dhe oligarkët rusë. Mirëpo, ky person cilësohet dhe si mik i kryeministrit Edi Rama, dhe në dokumentet e hetimit kanë dalë dhe dy shtetas shqiptarë, Agron Neza dhe Dorian Duçka.

Bie në sy se ish-zyrtari i lartë amerikan rezulton se ka biznes dhe në Shqipëri. Charles McGonigal është pronar i një studio ligjore të quajtur “LAW OFFICE & INVESTIGATION”. Ortakë në këtë studio ligjore janë dhe shtetasit Shefqet Dizdari, Agron Neza dhe Mark Thomasrossini, secili me 25% kuota aksionesh.

Blerja e studios ligjore në Tiranë

Ish-drejtori i FBI ka ardhur disa herë në Shqipëri, por në 9 shtator 2017 ai është takuar me kryeministrin Edi Rama, i shoqëruar nga shtetas të tjerë shqiptarë, që mendohet se janë Agron Neza, ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe i natyralizuar në shtetas amerikan, si dhe Dorian Duçka, këshilltar i jashtëm i Edi Ramës.

Dy vite pas kësaj vizite, në 2019, Charles McGonigal ka blerë kompaninë “LAW OFFICE & INVESTIGATION” të themeluar në vitin 2008 nga avokati nga Tropoja Shefqet Dizadri. Ky i fundit mbajti vetëm 25% të aksioneve dhe pjesën tjetër ua shiti tre shtetasve të mësipërm.

Ky është momenti kur zyrtari amerikan tashmë i arrestuar përfshihet në interesat e veta në Shqipëri. Ai shfaqet dhe në dy momente të tjera, të cilat konsiderohen të dyshimta, në lidhje me një kompani nafte dhe me një politikan biznesmen nga Kosova.

Interesat për një kompani nafte në Shqipëri, e lidhur tërthorazi me Rusinë

Ish-agjenti i inteligjencës shqiptare me banim në SHBA, Agron Neza mësohet se ka qenë një ndër nyjet kryesore të lidhjes së Charles Mc Gonigal me zyrtarët shqiptarë. Neza kishte interes të madh për një koncesion nafte që u dha një vit pas takimit të ish-drejtorit të FBI-së me Edi Ramën në Tiranë.

Në vitin 2018 Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG. Më 31 mars, Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.

Pronari i kompanisë Transoil Group në Shqipëri ishte shtetasi Shefqet Dizdari, avokati i cili në 2019 i shiti studion ligjore amerikanit Charles McGonigal dhe shqiptaro-amerikanit Agron Neza. Ajo që bie në sy është se kompania e naftës e administruar nga Dizdari kishte lidhje biznesi me gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom.

Kompania “Transoil Group” ka qenë e regjistruar në Zvicër dhe më pas ka ndryshuar emrin në “Terraoil Swiss”, me administrator pikërisht avokatin Shefqet Dizdari.

Kur McGonigal u takua me kryeministrin Edi Rama më 9 shtator 2017, i kërkoi atij “të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave e shpimit në fushës e naftës në Shqipëri për kompanitë ruse”.

FotoMontazh: Kryeministri Rama dhe ish-zyrtari i FBI, Charles McGonigal

Ndërkohë, në vitin 2020 ka pasur një vendim të Gjykatës Administrative Vlorë, e cila thoshte se përzgjedhja e kompanisë zvicerane në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender. Pra, kompania me pronar avokatin Shefqet Dizdari.

Ish-agjenti shqiptar Agron Neza, sipas dokumenteve të drejtësisë amerikane, i ka dhënë Charles McGonigal 225,000 dollarë në tre episode të ndryshme. Ryshfeti dyshohet se është dhënë pikërisht që ish-drejtori i FBI të ndikonte te qeveria shqiptare që koncesionin ta fitonte kompania zvicerane, me pronar avokatin tropojan. Një vit pasi koncesionin e fitoi pikërisht kompania e Shefqet Dizadarit, ky i fundit ia shiti studion ligjore ish-drejtorit të FBI, dhe 25% të aksioneve i kishte dhe Agron Neza.