Një kuzhiniere e stafit të Forcave Kanadeze ka akuzuar një ushtar shqiptar të NATO-s se e ka sulmuar seksualisht ndërsa ishin me mission në Letoni.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta lokale, Kristen Adams ka kërkuar përgjigje nga udhëheqja e lartë e ushtrisë, duke përfshirë shefin e shtabit të mbrojtjes, gjeneralin Wayne Eyre, në lidhje me sulmin me të cilin u përball gjatë punës në mensën e drejtuar nga Kanadaja për trupat e saj në Letoni.

Adams e raportoi incidentin në policinë ushtarake kanadeze në kamp pak pasi ndodhi, i tha kësaj gazetës se ishte duke punuar në mensën e njohur si Commons, kur pa një ushtar shqiptar, të cilin e njihte.

Të dy janë përshëndetur, por më pas shqiptari kapi gjoksin e saj të majtë, duke i thënë Adams: “Oh, ti je shumë e fortë”.

Raportet dhe dokumentet e policisë ushtarake kanadeze vunë në dukje se Adams u sulmua seksualisht gjatë një incidenti më 3 dhjetor 2022.

Por sipas letrës që ajo ka marrë si përgjigje, CFMWS (Institucioni për vetëmbrojtje dhe kujdes moral në Kanada) i tha Adams se ajo duhet të kishte kuptuar se mund të ishte përballur me një incident të tillë kur ajo nënshkroi për këtë punë.

“Duke pranuar të dislokoheni, ju po merrni përsipër një rrezik të caktuar për të punuar në këtë mjedis”, ishte e shkruar në përgjigje.

Policia ushtarake letoneze u thirr për të shqyrtuar rastin, por Adams theksoi se ata nuk intervistuan asnjë dëshmitar. Intervistat e bëra ishin vetëm me të dhe me ushtarin shqiptar, shtoi ajo.

Më 14 dhjetor, policia ushtarake letoneze vendosi se nuk do të hetonte më tej. “Nuk u dhanë detaje se pse hetimi ka përfunduar,” vunë në dukje dokumentet e policisë ushtarake kanadeze.

Menjëherë pas sulmit, kontrata e Adams u përfundua dy muaj më herët nga CFMWS. Ky vendim u mor “për të siguruar që nuk ka rrezik të mëtejshëm për shëndetin tuaj“, sipas një letre të 3 shkurtit 2023 dërguar Adams nga organizata.