Megaskandali i rrjedhjes së të dhënave në Shqipëri po bën xhiron e botës.

Mediat e mëdha gjermane, duke nisur nga gazeta Frankfurter Allgemeiner e deri te agjencia APA raportojnë për ‘një rrjedhje masive të të dhënave në Shqipëri’.

Edhe gazeta të tjera të botës gjermanishtfolëse, si austriakja Der Standard, theksojnë se viktima të këtij skandali kanë rënë edhe vetë presidenti, kreu i qeverisë dhe anëtarët e shërbimit sekret.

“Të dhënat përfshijnë kartën e identitetit, punëdhënësin, rrogat mujore dhe numrat e telefonit. Ato janë shpërndarë në platformat sociale. Mediat shqiptare përllogarisin se 700 mijë persona janë prekur nga kjo rrjedhje të dhënash. Këtu përfshihen punonjës bankash, sipërmarrës, nëpunës civilë, punonjës të shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë, si dhe gazetarë”.

Më tej thuhet se autoritetet hetimore kanë konfiskuar disa servera.

Por ajo që theksojnë të gjithë mediat është se kjo është hera e dytë brenda vitit që ndodh një skandal i këtyre përmasave, por pa mbajtur kush përgjegjësi.

“Kjo është rrjedhja e dytë e madhe e të dhënave në Shqipëri brenda një viti. Të dhënat e pothuajse një milion shqiptarëve rrodhën në media në prill përpara zgjedhjeve parlamentare. Deri më tani askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë rast”, shkruan FAZ.