Kreu i PD Sali Berisha në mbledhjen me kandidatët për kryetar bashkie, u ndal te vendimi i Apelit për t’i lënë vulën e partisë, Enkelejd Alibeajt.

Berisha tha se Rama me vendimin e fundit të gjykatës ka konfiskuar vulën e partisë.

Berisha: Si burracak Edi Rama shtyu deri në 3 ditë para skadimit të afatit vendimin e parafabrikuar të gjykatës të kontrolluar 100% prej tij dhe konfiskoi vulën e partisë. Mendoi se me këtë akt na dha një goditje dhe shpëtoi nga opozita e vërtetë. E vërteta është e kundërta, ai s’do shpëtojë kurrë nga PD-ja, nga e cila u ngrit si feniksi nga hiri apo labirinthet e kurthet e paimagjinueshme shqiptare dhe ndërkombëtare.

Në vendimet që do të marrim, sigurisht që ju keni zërin tuaj dhe partia nuk merr asnjë vendim pas një konsultë me ju. E vërteta është që jeni ju kandidatët e lirisë, kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, por jo të vetëm të këtij vendi, por edhe të vendeve të tjera që zgjidheni me votën e lirë të anëtarësisë dhe mbështetësve të PD.