Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri mbërriti në aeroportin ushtarak në Rinas, pak minuta pas orës 03:00 të mëngjesit të së premtes. Zëri i Amerikës ka mësuar se bëhet fjalë për 121 persona, aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre dhe fëmijë si dhe 11 foshnja, të nisur nga Kabuli. Avioni i tyre ka bërë fillimisht një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, prej nga është nisur më pas rreth mesnatës drejt Tiranës

Pas mbërritjes në Rinas, grupi i qytetarëve afganë qëndroi fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroportit ushtarak, ku atyre do iu ofrua dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa kryen dhe formalitetet burokratike. “Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë”, deklaroi nga aeroporti, ku kishte dalë për t’i pritur, ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka, e cila ka ndjekur që në fillim të gjithë procesin e përgatitjeve për pritjen e tyre.

Shtetas afganë në Shqipëri

Pas orës 06.00 edhe qytetarët e fundit afganë, përmbyllën procedurat për t’iu drejtuar strukturave hotelier në Durrës ku ata do të qëndrojnë. “Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”, shpjegoi zonja Xhaçka.

Shtetas afganë në Shqipëri
Shtetas afganë në Shqipëri

Bashkë me ministren e jashtme shqiptare, siç e bëri të ditur dhe vetë përmes një postimi në Twitter, ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. “Pritëm grupin e parë të afganëve që janë në kërkim të një strehimi të përkohshëm në Shqipëri. Siç ka bërë gjithmonë, populli shqiptar dhe një herë ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj kujt ka nevojë më shumë. Jemi krenar t’ju quajmë miq dhe aleatë”, shkroi ambasadorja Kim.