Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllimet e tij për familjen e Arjanit i cili humbi jetën në magazinat e nëndheshme ku shkoi për të shpëtuar punonjësit.

Trupi i pajetë i Arjan Salës, 32 vjeç u gjet në orët e para të mëngjesit të sotëm, tre ditë pasi zjarri përfshiu magazinën e qendrës tregtare pranë mbikalimit të Kamzës.

Meta nënvizon se vetëflijimin e Arjanit uron që të ndërtohet një shtet më njerëzor.

“Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.

Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.

Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë.

Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit. Ngushëllimet më të ndjera familjes! Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!

ora news