Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me nismën e marrë nga Kuvendi për plotësimin e vakancave në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Reagimi i Metës ka ardhur pasi ky shqetësim u ngrit edhe nga rrjeti ndërkombëtaar i gazetarëve “Safe Journalists” të cilët e konsideruan këtë vendim si një uzurpim të AMA-s nga ana e qeverisë shqiptare.

Meta e dënoi aktin e ndërmarrë dhe tha se qeveria duhet të hiqte dorë pasi ky ishte një uzurpim dhe marrje në kontroll e AMA-s nga pushteti. Më tej ai e konsideroi se ky veprim po kërkohej të merrej nga Kuvendi ‘njëpartiak’ siç e cilëson ai, në periudhën e fundit të legjislaturës së tij.

“E mbështes plotësisht shqetësimin e drejtë të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të rreth 8200 kolegëve të tyre të huaj të grupuar në Rrjetin “Safe Journalists” dhe e dënoj me forcë nxitimin e mazhorancës dhe të Kuvendit aktual njëpartiak për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, një institucion thelbësor për garantimin e lirisë së medias në vendin tonë.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që nuk ka qenë i sinqertë, as me median, as me Bashkimin Europian dhe as me Komisionin e Venecias. Për më tepër, që po mbushet gati një vit (19 qershor 2020) dhe ende Parlamenti nuk është tërhequr zyrtarisht nga paketa antikushtetuese “Antishpifje”.

Duke e përkrahur thirrjen e gazetarëve për të shtyrë plotësimin e vakancave në AMA, pasi Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të fillojë punën, theksoj se çdo tentativë për kontroll të lirisë së medias është goditje e rëndë për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, që minon seriozisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.”