Tashmë është një fakt që Dritan Abazoviç, ka humbur mazhorancën dhe rrezikon të largohet nga posti i kryeministrit në Malin e Zi.

Dritan Abazoviç, në këtë mënyrë u “vetësakrifikua” për marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe edhe pse ishte paralajmëruar nga disa anëtarë të qeverisë së tij se nuk do ta mbështesnin më nëse ajo do të miratohej.

Kabineti qeveritar u mblodh mesditën e së premtes dhe për më shumë orë miratoi akordin që duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Për miratimin e Marrëveshjes Themelore votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.

Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq tha se qeveria e Dritan Abazoviqit po humbë kështu shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.

Pas miratimit të këtij dokumenti, Marrëveshja Themelore do t’i dërgohet Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, i cili gjithashtu duhet ta pranojë atë.