Ndeshja mes Danimarkës dhe Finlandës për Euro 2020 është ndërprerë për shkak se futbollisti Christian Eriksen është rrëzuar papritur në mes të fushës duke humbur ndjenjat. Në minutën e 43, Eriksen u afrua për të marrë topin dhe papritur u rrëzua duke trembur të gjithë kolegët e tij.

Menjëherë në fushë ndërhyri stafi mjekësor, i cili i bëri një masazh kardiak futbollistit, që nuk po e merrte veten. Ndërsa kolegët e tij të skuadrës së Danimarkës krijuan një rreth duke u kapur përdore me njëri-tjetrin, për të mos lejuar kamerat që të filmonin mikun e tyre në gjendje kritike.

Menjëherë pas këtij momenti UEFA njoftoi ndërprerjen e ndeshjes duke u shprehur se përballja do të shtyhet për shkak të një emergjence mjekësore. Është mësuar se Eriksen është dërguar me shpejtësi pas 15 minutash në spitalin më të afërt. Ndërkohë gjithë sportdashësit janë qetësuar, pasi në media kanë nisur të qarkullojnë foto të Eriksen, që shihet teksa lëviz gjymtyrët e tij.

Christian Eriksen është një futbollist 29-vjeçar, i cili luan për kampionin italian të futbollit, Inter Milan. Gjithashtu ai është i angazhuar prej gati 1 dekade me skuadrën e Danimarës. Ai udhëhoqi skuadrën në Kupën e Botës në vitin 2018-të, duke arritur në raundin e 16-të.