Rrëshqitje gurësh në disa akse

Reshjet e shiut kanë vijuar me intensitet gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit duke sjellë edhe rënie gurësh, drurë, materiale e inerte në rrugë.

Sipas ARRSH akset më problematike janë: Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Ura e Zapodit, Kukës–Bushtricë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Steblevë, Qafë Muzinë-Qafë Dushk–Peshkopi, Librazhd–Përrenjas,Elbasan–Qafë Thanë dhe në Llogara.

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare pranë shtabit të emergjencave civile bëjnë me dije se si pasojë e reshjeve dhe erërave në disa zona ka probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike. Aktualisht raportohen probleme në fshatrat e Librazhdit dhe Gramshit si dhe në njësinë administrative Shushicë të Elbasanit.

 Po ashtu probleme ka pasur me rrëshqitjet e gurëve në vendin e quajtur Kthesa e Murrashit në Librazhd por qarkullimi i mjeteve vijon normalisht pasi firma kontraktuese është duke vijuar punën për mirëmbajtjen e rrugës. Rrëshqitje dherash raportohen edhe në fshatin Bersnike të Gramshit.

Mësohet se për shkak të reshjeve gjatë dy ditëve të fundit ka edhe rritje të nivelit të ujit në lumin Shkumbin por deri më tani nuk raportohen problem ARRSH njofton se po punohet për pastrimin e akseve. Aktualisht të gjitha akset janë të kalueshme.Apelohet që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.