Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur shqiptar Anastas Kristofori, i cili është gjerësisht i njohur dhe do të mbahet mend gjatë për rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176”.

Lajmin e kanë konfirmuar miq e të afërm të aktorit që kanë postuar në rrjetet ngushëllimet për ndarjen nga jeta të tij.

Anastas Kristofori është një aktor shqiptar që ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës.

Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970,fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.

Të shumtë do të ishin interpretimet e tij në skenën e këtij teatri.

Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli I sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.