
Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli.
Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi.
Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.
Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita spitalore dhe shqetësime për shëndetin e tij.
Ishte Kardinali Farrell, i cili me pikëllim njoftoi vdekjen e Papa Françeskut, me këto fjalë: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku.
Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe kishës së Tij.
Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht më shumë ndaj më të varfrit dhe më të dobtit”.
