Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur në Greqi, ku 36 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy trenave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Shqipëria ndjen dhimbjen e fqinjit të saj dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ne ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, shkruan Rama në Twitter.

Ndërkaq, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit hekurudhor në Tempe.

Vendimi hyn në fuqi nga sot, 1 mars deri më 3 mars 2023 me flamuj në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe pezullimin e festave publike.