Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula tha sot në Kuvend se në kafen e parlamentit ku qëndrojnë deputetët vjen era puro dhe hashash.

Pas deklaratës së tij pati reagime nga ana e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe deputetit socialist Pandeli Majko të cilët i kërkuan të tërheqë deklaratën duke e cilësuar atë një fyerje për institucionin.

Sula më pas sqaroi se mund të ketë ngatërruar puron me hashashin duke qenë se nuk është përdorues i tyre.

Replikat në kuvend

Dashnor Sula: Pse armë të ftohta janë orizi dhe sheqeri. Këtu te kafja ngjirue vjen era puro që pinë pasanikët dhe qeveritarët. Mos të them ndonjë gjë tjetër që mund të vijë dhe era hashash.

Lindita Nikolla: Ju dëgjova me vëmendje dhe në fjalën tuaj deklaruat që në kafen e parlamentit pihet edhe hashash. Është fyerje e madhe për kolegët deputetë duke thënë një të pavërtetë të madhe.

Dashnor Sula: Nuk akuzova asnjeri. Nuk thashë që pihet hashash. Nuk marr vesh nga duhani se nuk pi kurrë. Puro atje të mbyt dhe mund ta ngatërroj edhe me hashash.

Pandeli Majko: Ne kemi shumë dëshirë t’i biem edhe vetes. Harrojmë që brenda politikës jemi edhe ne. Këtu u tha që para duhanit pihet edhe hashash. Ta trajtosh këtë sikur po ju hapet zemra dhe stomaku për fshatarët kjo është gjë e gabuar. Duke dashur të bëhemi të ndjeshëm nxirrni anën e kundërt. Ju jeni përfaqësues të opozitës dhe opozita në thelb tenton të përfaqësojë moralin e shoqërisë. Para se të kërkoni nga maxhoranca duhet të ktheni pak kokën edhe nga vetja.

Dashnor Sula: Për respektin ndaj Majkos si ish kryeministër i vendit tim në këtë moment ndihem i zhgënjyer për qasjen që opozita ka ndaj meje dhe opozitës, Në raport me të vërtetën do i them gjërat troç. Kujt i pëlqen është zgjidhja e tij. Është në nderin e këtij parlamenti të mos shikojmë deri te gardhi jonë por ta shtrijnë më tej për të afërmit e tyre. Ashtu si foli me pasion kolegu i maxhorancës zoti Braçe.