Kryeministri Edi Rama është pritur ditën e sotme nga Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, ku kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e dy vendeve në fusha të ndryshme.

Aliev tha se dy vendet kanë një bashkëpunim modest përsa i përket energjisë, por që diskutimet mes dy qeverive do të sjellin bahskëpunime më të gjera në këtë sektor.

Ndërkohë, në fjalën e tij, Rama tha se priste që Aliyev të vizitonte Shqipërinë, por duke parë hezitimin e presidentit azerbajxhanas, vendosi që të shkonte vetë te ai. Kryeministri u shpreh se Shqipëria është xheloze për projektin e Azerbajxhanit në Malin e Zi, teksa shtoi se të dy vendet janë të bekuara që kanë Turqinë si urë lidhëse midis tyre.

“Është kënaqësie e madhe që gjendem këtu, pikë së pari pas një fushate mjaft të madhe të suksesshme për të kthyer pjesë të vendit tuaj që për shumë vite gjendej në një situatë të padurueshme. Shqipëria ka qenë është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit. Po kështu ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lavdueshme për paqe dhe bashkëpunim me fqinjin tuaj Armeninë.

Ne jemi të dy të bekuar të kemi një urë shumë të fortë midis nesh, që është Turqia, dhe unë besoj se mund të bëjmë shumë në fusha të ndryshme. Pres me padurim të dëgjoj dhe të shoh se çfarë kanë arritur ekipet tona qoftë në sektorin e energjisë, por edhe të turizmit. Ne kemi të disi drejtën tonë të jemi xheloz për Malin e Zi, sepse aty ju keni bërë një investim masiv, jo vetëm në kuptimin financiar, pro edhe në kuptimin e modelit. Pres edhe të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri.

Ndërkohë që prisja që ju të vinit, mendova pse të mos vija unë. Nëse mali nuk shkon dot te Muhamedi, shkon Muhamedi te mali. Faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë dhe presim me padurim që të lajmë borxhin në momentin që ju do vini në vendin tonë”, u shpreh Rama