Nevila Pjetri, 35 vjeçarja që u gjet e vdekur dhe e dhunuar në shtratin e lumit Parmignola, në provincën e La Spezia të Italisë, dyshohet se punonte si prostitutë. Kur trupin e gjetën karabinierët, ajo ishte gjysmë e zhveshur, e mbuluar me gjak dhe kishte një plumb në kokë.

Media italiane “La Nazione” shkruan se shqiptarja jetonte me bashkëshortin e saj Leonardo Marku dhe ishin martuar vitin e kaluar. Burri tragjedinë e ka mësuar nga policia kur i kanë trokitur në derë mëngjesin e djeshëm.

Ajo doli nga shtëpia në orën 20.00 – tha ai – e prita gjithë mbrëmjen, nuk e kuptova pse nuk po kthehej. Më pas mbërritën karabinierët …” Leonardo është zemërthyer: “E kam dashur shumë”. Kështu shkruajnë mediat në vendin fqinj për vdekjen e Nevila Pjetrit.

Vrasja dyshohet se ka ndodhur diku tjetër dhe më pas trupi i 35-vjeçares është hedhur në vendin ku u gjet. Karabinierët gjetën edhe makinën e viktimës të parkuar jo shumë larg vendit ku u gjet e vrarë. Autoritetet mësohet se po ashtu po kërkojnë automjetin tek i cili ajo hipi gjatë orëve të vona të natës, sipas disa dëshmitarëve.