I mësuar të kryesojë një parlament pa opozitë, Gramoz Ruçit mesa duket i ka krijuar bezdi edhe prezenca e gazetarëve.

Për t’i dhënë mundësinë e një ambienti më intim qeverisë, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të kufizojë hapësirën e mediave për të raportuar ngjarjet që ndodhin brenda Parlamentit me një vendim të datës 2 qershor të vitit 2021. Raste të ngjashme, të ndeshura edhe në shtetet fqinje janë konsideruar si shkelje të lirisë së shprehjes prej Gjykatave Ndërkombëtare.

Jugosllave të Maqedonisë, që kishte të bënte me largimin e gazetarëve me forcë prej Kuvendit, nga ku po raportonin një debat parlamentar në lidhje me miratimin e buxhetit të shtetit.

Gjatë debatit në Kuvend, një pjesë e deputetëve të opozitës u nxorrën jashtë parlamentit prej forcave të sigurisë. Bashkë me ta, edhe gazetarë të akredituar, të cilët bënë rezistencë ndaj kësaj sjelljeje.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi unanimisht asokohe se kishte patur shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes, për shkak të dëbimit të gazetarëve nga Kuvendi prej forcave të sigurisë.

Bazuar në këtë precedent, Gjykata Europiane theksoi se përpjekja për të larguar gazetarët nga vendet ku ka trazira publike, demonstrata apo debate e konflikte në parlament, do të quhet një veprim që minon të drejtën e medias si një mbikëqyrës. Qeveria e Maqedonisë kishte dështuar të demonstronte se largimi ishte “i nevojshëm në një shoqëri demokratike”.

Në Shqipëri, debati është ende i hapur në lidhje me këtë vendim të marrë në Kuvend. Mbetet për t’u parë nëse rezistenca e aktorëve mediatik do të sjellë një ndryshim të tij, apo hapësira ku media vepron do të tkurret gjithnjë e më shumë, duke i zbehur fuqinë një pushteti themelor për ruajtjen e demokracisë në vend, që është ai i katërt.

Kujtojmë se në Shqipëri, gazetarëve iu është mohuar hyrja në mjediset e Kryesisë së Kuvendit përmes nenit 12 të “Rregullores për Akreditimin e Masmedies”  , i cili përcakton se ata do të mund të qëndrojnë vetëm në sallën e gazetarëve që ndodhet në katin e parë të godinës dhe në ambientin e caktuar për ta në Sallën e Seancave Plenare, kur ato janë të hapura.

Ky detyrim i gazetarëve dhe mediave për t’i parë ngjarjet me optikën ndërmjetësuesve të qeverisë është pritur me kritika prej institucioneve që mbështesin median si dhe prej aktorëve politikë opozitar apo nga vetë presidenti i vendit, Ilir Meta.

Në një artikull të “Citizens-Channel”, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, e konsideron këtë vendim si heqje të lirisë për informim të publikut.

“Mbyllja e gazetarëve në një dhomë që punimet e Kuvendit t’i ndjekin nga TV është qesharake. Qesharake, sepse po të ishte për të ndjekur zhvillimet në TV, mund ta bënin dhe nga kafeneja pa pasur nevojë për “rregullore” nga Kuvendi. Por mediat nuk mund e nuk duhet të bëjnë raportim kafeneje, po duhet të jenë aty ku ngjarja ndodh. Gazetarët janë aty si përfaqësues të publikut, në emër të tonë e për të na informuar ne. Heqja e kësaj lirie është praktikisht heqje e lirisë për informim të publikut. Përndryshe, le ta mbajmë të tërë TV hapur tek ERTV, se nuk kanë ç’na duhet “sy” të tjerë për të marrë vesh të vërtetën”, shprehet Cukali.

Presidenti Meta nga ana tjetër, e quan këtë vendim instalim të një regjimi censurues, që kufizon liritë dhe pavarësinë e medias e që shkel të drejtat e njeriut.

“Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Kuvendi ka vendosur që t’u japë më shumë të drejta përmes nenit 17 të rregullores së re të miratuar më 2 qershor të këtij viti, Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias e shikon këtë dallim si një formë diskriminimi.

“Krijimi i diskriminimit, mes gazetarëve me badge të institucioneve të kontrolluara nga qeveria si RTSH e ATSH (versionet zyrtare të ERTV) dhe të cilët lejohet të kenë akses më të zgjeruar në hapësirat e Kuvendit, me gazetarët të mediave të tjera, është një tjetër dhunim në dëm të lirisë së informimit”,  tha Cukali.