OST dhe OSHEE kërkojnë rishikimin e tarifave për vitin e ardhshëm

Viti 2022 do të nisë me një rritje të çmimit të energjisë elektrike. Enti Rregullator ka parashikuar marrjen e vendimit për rritje e tarifës për operatorin e transmetimit nga 0.75 lekë për kilovat orë në 1.54 lekë.

Nëse një kërkesë e tillë do të miratohet ajo pritet të reflektohet dhe në faturën e konsumatorëve.

Ndërkaq dhe OSHEE ka kërkuar shtrenjtimin me 34 për qind të çmimit. Por në këtë rast nuk do të preken familjarët por bizneset.

Këta të fundit përmes një deklarate për mediet kërkuan transparencë. Madje duke propozuar që rritja të jetë vetëm për energjinë e importit

“Propozimi i OSHEE dhe OST  për rritjen e tarifave përkatëse të shpërndarjes dhe transmetimit është i pabazuar në kostot reale të këtyre dy subjekteve. Kërkojmë që rritja e çmimit të energjisë të jetë transparente dhe të reflektojë vetëm pjesën e tarifës ë energjisë së importuar.”

Në mungesën e një konkurrence për të pasur burime të tjera furnizimi, paralajmërojnë reagim nëse qeveria nuk do të marrë parasysh kërkesat.

“Të krijohet urgjentisht një tryezë teknike negociatash me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të komunitetit evropian. Nëse nuk do të ketë asnjë dialog për krijimin e kësaj tryeze teknike shoqatat e biznesit që kanë përgatitur këtë deklaratë do të ndërmarrin veprime të tjera të dakordësuara që do të komunikohen pas datës 24 dhjetor.”

Ndërkaq Konfindustria ka paralajmëruar se për mbi 7300 biznese çmimi i energjisë do të rritet me 200 përqind. Madje shtohet se nga  1 janari kjo do të pasohet me një rritje të çmimit të produkteve duke sjellë dhe rëndesë në xhepat e konsumatorëve.